Edhe pse detyra kryesore e AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) është siguria ushqimore në vend, janë pikërisht inspektorët e këtij institucioni ata që në kundërshtim me çdo protokoll të punës së tyre cenojnë sigurinë e konsumatorëve.
Një audit i kryer nga KLSH në Drejtorinë Rajonale të AKU Qarku Tiranë ka konstatuar disa shkelje të rënda tê inspektorëve të këtij institucioni.
Gjatë kontrollit që inspektorët e AKU kanë kryer në disa dyqane mishi dhe tregje kanë konfiskuar mish i cili tregtohej jashtë kushteve të higjienës, i pavulosur dhe i pa certifikuar. Deri këtu gjithçka është konform ligjit dhe detyrës, por pas kësaj vjen shkelja.
KLSH ka zbuluar se inspektorët e AKU nuk e kanë asgjësuar mishin e konfiskuar ashtu siç e parashikon ligji, por e kanë dërguar në 2 fabrika përpunimi mishi me konkretisht te fabrika Kazazi dhe Balcon Zoo Farm.
Më tej në raportin e kontrollit të shtetit thuhet se ky mish i destinuar për groposje në asnjë moment nuk mund të dërgohej në 2 kompani private që janë vetë subjekt inspektimi nga AKU, për më tepër ky institucion nuk ka asnjë kontratë qiraje më Kazazi-n dhe Balcon Zoo Farm për t’i vënë në dispozicion ambiente frigoriferike brenda subjektit të tyre.
Ndërkohë që skandali thellohet edhe më tepër me faktin se nuk është administruad flete-hyrja në fabrikë e mishit të bllokuar dhe nuk ka asnjë dokument që fakton se është bërë asgjësimi i mishit te destinuar për groposje.
KLSH ka ngritur alarmin se mishi i dorëzuar te subjekti Kazazi mund të përpunohet dhe të rifutet përsëri në treg. Për momentin nuk dihet se ku ka përfunduar ky mish i bllokuar pasi nuk disponohet asnjë foto për asgjësimin e tij.