HORROR në Kosovë/ Nëna ndihmon vajzën të abortojë në muajin e 7-të të shtatzënisë, më pas foshnjën e hedhin në tualet

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Podujevë, ku nënë e bijë janë arrestuar pasi akuzohet se janë përfshirë në vrasjen e një foshnjeje të porsalindur.

Një 19-vjeçare, nëna e foshnjes është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas mediave në Kosovë, vajza 19-vjeçare teksa ishte 7 muajshe shtatzënë, në bashkëpunim me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë, dyshohen se e kanë hedhur në tualet.

Për rastin e rëndë kanë reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje” – njoftoi Policia.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që i merr jetën foshnjën së vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet.