Dita e martë, e mërkurë dhe e enjte pritet që të sjellin reshje shiu dhe ulje temperaturash në vend. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se kushtet atmosferike pritet që të përmirësohen ditën e premte dhe në fundjavë, ku termometri do të pësojë sërish rritje.
Lajda Porja: Ka një javë dinamike, sot mbetemi nën ndikimin e motit të kthjellët e madje do të ketë temperatura mjaft të larta, presim dhe vlerat 38 gradë në zonat jugore në qarkun e Beratit, por edhe Gjirokastra do të ketë temperatura shumë të larta. Parashikohet që qytetet më kryesore të Shqipërisë të luhaten nga 34 në 36 gradë.
Pra, një ditë mjaft e nxehtë. Pritet që në pjesën e dytë të ditës të kemi vranësira më të shpeshta. Përsa i përket ditës së martë, parashikohet të kemi zhvillim të vranësirave duke sjellë rrebeshe shiu, kjo edhe si efekt i temperaturave mjaft të larta, ku epiqendra e këtye celulave duke sjellë rrebeshe do të jetë kryesisht në veri në zonat qendrore dhe më pak reshje do të ketë jugu, madje do të ketë vetëm në zona të izoluara.
Parashikohet, nga e marta deri ditën e enjte moti të jetë disi i paqëndrueshëm, edhe pse disi paradite do të jenë kryesisht me kthjellime, në mesditë dhe pasdite do të kemi zhvillime të vranësirave duek sjellë rrebeshe shiu. Ditën e martë është kryesisht veriu dhe qendra, ditën e mërkurë pjesërisht veriu, por edhe zonat jugperëndimore, kryesisht qarku i Vlorës do të ketë rrebeshe. Përsa i përket ditës së enjte parashikohet që e gjithë shtrirja lindore të rrezikohet nga rrebeshe të izoluara, nuk përjashtohen stuhitë e breshërit në zonat juglindore.
Ka një përmirësim të motit ditën e premte dhe gjithashtu në fundjavë. Të martën, të mërkurën dhe të enjten do të ketë rënie të temperaturave. Nesër presim që temperaturat të bien me 2-3 gradë. Një tjetër rënie me 3 gradë do të jetë ditën e mërkurë, po ashtu një rënie e lehtë ditën e enjte duke bërë që maksimalet nga 38 që regjistrohen sot, nesër të jenë 35 gradë, 33 do të jenë të mërkurën dhe të enjten do të jenë 30-31 gradë.
Pra, do të jenë relativisht disa ditë të freskëta dhe me prezencë të reshjeve. Dita e premte do të përmirësojë ndjeshëm motin, do të kemi më shumë diell dhe ngjitet sërish termometri në 36 gradë dhe temperatura të larta na presin në ditët në vijim.