Eni Çobani shkatërron planin e Agimit, zbulon qëllimin e vërtetë të akuzave ndaj gruas për tradhti

Pretendimi e tradhtisë bashkëshortore nga Agimi për gruan e tij prej 30 vitesh, Almën, duket se ka një prapaskenë. Ndërmjetësja e rubrikës “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan e interpeton si një metodë të përdorur nga Agimi për të mbështetur akuzat e tij për tradhti nga Alma. Kjo do t’i shërbente atij si siguri që Alma mos të përfitojë dot gjysmën e saj të pasurisë.

Eni Çobani: Unë e kuptoj, ju e sillni tradhtinë bashkëshortore duke menduar akoma që nëpërmjet provimit të tradhtisë, zonja nuk do të marrë pasuri, por ligji këtë nuk e parashikon.Ti e di që sot martesat nuk ndahen për tradhti bashkëshortore? Ndahen sepse çifti nuk shkon më. Ti mund të sjellësh prova sa të duash, por fakti është që zonja ka bërë atë jetë që ajo ka menduar, ka qenë e denjë për familjen, ti thua që ka tradhtuar, prova nuk ka dhe ju shkoni drejt divorcit. Regjimi pasuror nuk ndikohet nga ato që ke sjellë ti me mesazhe dhe kjo të humbasë pasurinë se unë e kuptoj tani: kjo ngritje e zërit, kjo tundje e telefonit, kjo sjellje e mesazhit, ke dashur të vish këtu dhe të provosh përpara publikut që meqenëse kjo më ka tradhtuar, të dalë nga pasuria se s’i takon asgjë. Jo! Kjo nuk ndodh!

Në vijim, Çobani ftoi mbesën, kunatin dhe motrën e Agimit që të përballen dhe të vërtetojnë gjithçka kanë thënë për Almën. Njëkohësisht, mesazhi i mbesës së tij që ka sjellë këtë problematikë i hap rrugë Almës për të ngritur një padi për shpifje dhe të dëmshpërblehet.

Eni Çobani: E para, që në këtë moment, kësaj zonjës i lind e drejta të hapë padi për shpifje nga ai mesazh që ka mbërritur në telefonin e bashkëshortit dhe të marrë dëmshpërblim pikërisht për këtë që po thuhet publikisht për këtë zonjë, për tradhtinë bashkëshortore të paprovuar. Është e paprovuar, Agim, pra ai mesazh tani do të merret nga kjo zonja dhe do të çohet në gjykatë. Do të vijë ajo Nertila bashkë me atë mesazhin dhe do të provojë përpara gjykatës se ka thënë që ka tradhtuar bashkëshortja jote dhe ti po të ishe nga ai burrë që thua jam burrë, do ta bëje ti këtë gjyq me mbesën tënde, jo zonja jote!

Agimi vijon të thotë se ka ndodhur apo jo diçka, atij nuk i intereson dhe Alma thjesht duhet të largohet nga shtëpia. Kjo deklaratë tregon qëllimin e tij të vërtetë që Çobani nuk humbet kohë për ta evidentuar plotësisht.

Eni Çobani: Mesazhin e ke sjellë për të provuar përpara publikut pandershmërinë e bashkëshortes tënde dhe për të justifikuar më pas që asaj s’i takon asgjë. Ky është qëllimi yt, i mbesës dhe i motrës! Këtë s’do ta arrini! Ajo do të marrë gjysmën e pasurisë, kaq! Juve nuk mund t’i vini grave të tilla thënie, të lutem! Nuk edo më gruan, nuk shkon më me të, zgjidhe martesën! Nuk arrin dot të rrish me gruan, por ama mos prek figurën, privatësinë dhe nderin e saj! Nuk e ke provuar dot, nuk ke thënë asnjë fjalë për sa i përket tradhtisë faktike, ke vetëm një mesazh, atë mesazhin do ta çojë në gjykatë ajo zonja dhe do të marrë ca para, ja po të them unë!