Është dita e dytë e kërkimeve për “Bayesianin”, jahtin luksoz me vela i mbytur në zonën e Palermos. Ende nuk ka asnjë gjurmë të gjashtë personave që rezultojnë të zhdukur, ndërsa kuzhinieri u gjet i vdekur, dhe 15 u shpëtuan.
Sipas raportimeve të fundit, mes të zhdukurve është edhe presidenti i Bankës së famshme amerikane të investimeve Morgan Stanley International, Jonathan Bloomer dhe bashkëshortja e tij. Thuhet se ata janë miq të ngushtë me Mike Lynch, pronar i anijes dhe themelues i Autonomy, i cili gjithashtu është i zhdukur.
Ka spekulime se trupat mund të jenë bllokuar në rrënojat e jahtit. Në mbrëmjen e vonë të 19 gushtit, zhytësit arritën të hynin, por pa shkuar më tej për shkak të pranisë së orendive që pengonin kalimin.
Kush janë të zhdukurit?
Të zhdukurit nga tragjedia e ndodhur në detin e Palermos janë figura shumë të spikatura në botën e biznesit. Shumë shpejt u bë e ditur se Mike Lynch, një manjat britanik i teknologjisë, ishte në bordin e anijes me vela. Ai gjithashtu ia detyron pasurinë e tij kompanisë së softuerit Autonomy që bashkëthemeloi në Kembrixh në vitin 1996. Autonomy iu shit gjigantit të IT Hewlett-Packard në 2011 për 11 miliardë dollarë. Një marrëveshje e cila megjithatë i kushtoi Lynch-it një betejë të gjatë ligjore, i akuzuar për mashtrim në lidhje me shitjen tek HP. Lynch madje u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në 2022 për t’u përballur me gjyqin që kulmoi qershorin e kaluar me lirimin e tij.
Jonathan Bloomer është president i bankës së famshme amerikane të investimeve Morgan Stanley International. Bloomer është mik i ngushtë me Mike Lynch. Ai kishte qenë një nga dëshmitarët e mbrojtjes në gjyqin e Lynch. Duket se festa që përfundoi me tragjedi në Siçili ishte një mundësi për të festuar suksesin në gjykatë.
Të tjerët të zhdukur janë gruaja e Bloomer, vajza 18-vjeçare e Lynch, Hannah, avokati Chris Morvillo dhe gruaja e tij Nada Morvillo.
Anija me vela Bayesian ishte një xhevahir teknologjik 56 metra, por u përfshi nga një tornado që goditi zonën Santa Flavia, në provincën e Palermos, në agim të 19 gushtit. Tani është zhytur rreth 50 metra thellë.
12 pasagjerët dhe 10 anëtarët e ekuipazhit përfunduan në ujë. 15 persona u shpëtuan, ndërsa kuzhinieri i anijes – Ricardo Thomas – u gjet i pajetë.
Ndër personat që mbijetuan ishte edhe gruaja e Lynch, Angela Bacares. Me të edhe Charlotte Golunski, 35 vjeç. Ajo arriti të shpëtojë vajzën e saj njëvjeçare. Të dy janë mirë ashtu si edhe babai i fëmijës James Emsilie, 35 vjeç. Sipas fjalëve të gruas, e gjithë drama e përjetuar në pak çaste: “Për dy sekonda humba vajzën e vogël në ujë, pastaj menjëherë e përqafova sërish mes tërbimit të dallgëve. E mbajta fort, pranë vetes, ndërsa deti ishte në furtunë. Për fat të mirë, 11 prej nesh arritëm të hipnim në të.
Sipas disa dëshmive, era theu direkun e jahtit (75 metra prej alumini, më i larti në botë), kjo bëri që anija të anonte dhetë mbushej shpejt me ujë. Jo shumë larg ndodhej anija me vela holandeze “Sir Robert Baden Powell” dhe ka qenë ekuipazhi i kësaj anijeje që ka ndërhyrë i pari për të ndihmuar personat që kanë përfunduar në ujë.
Karsten Börner, komandanti i anijes holandeze, tregon ato momente dramatike: “Ne po planifikonim të shkonim në portin Arenella në Palermo, por na goditi një stuhi dhe u përpoqëm të qëndronim me motorët të ndezur. Pastaj kuptuam se varka pranë nesh nuk ishte më aty. Ne pamë një flakë të kuqe që vinte nga zona e varkës, kështu që unë dhe oficeri im i parë hipëm në tender dhe shkuam për të ndihmuar: ne gjetëm të mbijetuarit, duke përfshirë një vajzë të vogël. Alarmi u ngrit, mbërritën edhe njësitë e rojes bregdetare”.
Prokuroria e Termini Imerese ka hapur një hetim. Do të jetë e nevojshme të kuptohet se si ishte e mundur që anija të mbytet në pak çaste, ndërkohë që mjetet lundruese të tjera, qoftë edhe ato aty pranë, nuk pësuan asnjë dëmtim.