Nis qarkullimi në aksin Thumanë-Kashar, çdo kalim në autostradë do të jetë…

Nga sot, autostrada e parë e Kategorisë A në Shqipëri, Thumanë-Kashar, është e hapur për qarkullimin e automjeteve.

Punimet zgjatën 9 muaj. Ky aks është pjesë e Korridorit Blu. Gjithashtu ky aks lidh veriun me jugun. Në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

‘Çfarë është Shqipëria në 2030 mund ta shohin. Brenda kësaj periudhë nga Muriqan në Vlorë duhet të jetë kështu. Ky është korridori blu. Ndërkohë edhe korridor i 8 do jetë i përfunduar. Shumë shpejt do të filloj edhe për Ndroqin dhe autostrada Tiranë Durrës do zgjerohet. Rruga në Ndroq do jetë turistike panoramikë, do jetë kalim alternativ dhe kalim shumë i këndshëm.

I kam merak dibranët. E para që tuneli i Murrizi është fiksimi në luftën me gjeologjinë. Në Murriz po ecim dhe nuk duam të flasim, të vëmë afate. Por nëse edhe fuqia e të zotërve të Dibrës do kemi tunelin para fundit të vitit. Kam parë një lajm që rruga e Arbrit do të jetë me pagesë. Nuk do ketë pagesë për rrugën e Arbrit’, u shpreh kryeministri Rama gjatë inspektimit.

Ministrja Belinda Balluku tha se përfitues direkt të kësaj autostrade janë drejtuesit e mjeteve, që nuk do qëndrojnë më në trafik, zona, e cila merr një hov tjetër zhvillimi dhe, sigurisht, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Nëse dikush nuk do të përdorë rrugën me pagesë, do të ketë si alternativë lëvizjeje rrugët dytësore.

Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit, dhe kompania private do mund ta rrisë atë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Por do të ketë edhe rrugë alternative, dhe kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët.

Autostrada e kategorisë A, me shpejtësi të lejuar deri në 140 kilometra në orë, pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun sidomos në sezonin turistik, për shkak të fluksit të turistëve që vijnë nga Rinasi.

Aksi Thumanë- Kashar është një nga më të rëndësishmit e “Korridorit blu” që lidh veriun me jugun, me vlerë totale 226 milionë euro, kurse në 35 vitet e kohëzgjatjes së kontratës, koncesionari pret të fitojë 1.3 miliardë euro. Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.