Mediat lokale në Brazil, të cilat kanë aksesuar përmbajtjen e kutisë së zezë të avionit të rrëzuar disa ditë më parë, kanë zbardhur komentet e bëra nga pilotët.
Nga rrëzimi i avionit të premten e kaluar në Brazilin juglindor humbën jetën 62 persona.
Sipas televizionit brazilian TV Globo, regjistrimi audio, i cili zgjat rreth dy orë, nuk ofron një shpjegim të menjëhershëm për shkaqet e rrëzimit tragjik të avionit.
Por bëhet e qartë se dy pilotët vunë re një humbje të papritur të lartësisë një minutë para përplasjes, me bashkëpilotin që pyeti i shqetësuar “çfarë po ndodh” dhe shtoi “ne kemi nevojë për më shumë energji”.
Në sekondat e fundit regjistrohen edhe britma nga ata që ndodheshin në avion.
Avioni po fluturonte nga Cascavel, në shtetin e Paranës (në jug) për në Aeroportin Ndërkombëtar Guarulius, në Sao Paulo, të premten, më 9 gusht.
Pas një humbjeje të papritur të lartësisë, avioni u rrëzua në orën 13:25 (me orën lokale) në Vientiane, një komunitet prej 76,000 banorësh, rreth 80 kilometra në veriperëndim të qytetit të Sao Paulo, duke shkaktuar terror tek banorët.
Pamjet tronditëse të transmetuara nga mediat braziliane tregojnë se aeroplani humbet lartësinë me shpejtësi të madhe, duke vazhduar të dalë jashtë kontrollit, më pas një shtëllungë tymi ngrihet nga vendi ku u rrëzua në lagje, ku nuk u raportua për viktima në tokë.
Sipas forcave ajrore braziliane, fluturimi “kishte vazhduar pa probleme deri në orën 13:20” (ora lokale).
Por një minutë më vonë, avioni nuk iu përgjigj më thirrjeve të kullës së kontrollit dhe ekuipazhi “nuk deklaroi se ishte në një emergjencë ose se kishte hasur në kushte të pafavorshme moti”.
Avioni i prodhuar nga kompania franko-italiane ATR ishte tip ATR72-500. Prodhuesi i saj, një degë e Airbus dhe Leonardo e Italisë, theksoi në një deklaratë se ekspertët e saj do të mbështesin “hetimin që po kryhet”.