Zëri simbol i Radio Tiranës, Vera Zheji, është ndarë nga jeta pasditen e sotme në moshën 91 vjeçare. Lajmi i u bë i ditur nga nga familjarët e saj.
Vera Zheji është pinjolle e dinastisë kulturore Zheji, motra e gjuhëtarit dhe filozofit te madh Petro Zheji.
Vera Zheji lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.
Të gjithë mund të kujtojnë zërin e saj magjik kur lexonte përrallat e orës 19.00 në vitet ‘70. Vera Zheji lexoi edhe lajme në italisht, gjuhë që e zotëronte shumë mirë, sepse ishte e prirur për gjuhë të huaja ashtu si vëllai i saj Petro Zheji. Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.
Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.