Hyn në fuqi marrëveshja e pensioneve me Italinë, ja si funksionon dhe kush përfiton…

Hyri në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet nga e cila do te përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj dhe rreth 4 mijë italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, personat që janë në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore respektiv (shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri) duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që ka derdhur kontributet.

Po ashtu, shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje. Marrëveshja garanton që asnjë qytetar të mos humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht prej vendit ku ka punuar, duke mundësuar krijimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Dhe me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.

Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension, duke marrë dy pensione: i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet, do paguajë sipas viteve të punës respektive.