BRUKSEL- Komisioni Evropian ka konfirmuar se nga 10 nëntori 2024 në shtetet e zonës Shengen do hyjë në fuqi edhe kontrolli elektronik i pasaportave për hyrje-daljet e pasagjerëve, që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.
Mësohet se sistemi i hyrjes/daljes (EES) do të jetë një sistem i automatizuar për regjistrimin e udhëtarëve nga vendet e treta, sa herë që kalojnë një kufi të jashtëm të BE-së.
Sistemi do të regjistrojë emrin e personit, llojin e dokumentit të udhëtimit, të dhënat biometrike, përfshirë këtu gjurmët e gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës.
“Ne po ndërtojmë një sistem të ri mbi ndërveprimin me bazat e të dhënave që mund të komunikojnë mes vete. Kjo do të thotë se ne do të mirëpresim miliona vizitorë në Evropë në një mënyrë më të lehtë, dhe më të qetë. Kështu, për shembull, me sistemin e daljeve hyrëse nuk do të kemi më kontroll manual të pasaportave. Dhe kjo do të shpejtojë edhe radhët dhe kontrollet elektronike”, tha zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper.