Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e Memaliajt, ku një i moshuar u gjet i pajetë.
Nga ekspertiza, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime me mjet prerës, që janë bërë shkak për humbjen e jetës.
Ndërkohë, autori ende nuk është arrestuar dhe po vijojnë kontrollet në terren për kapjen e tij.
Njoftimi i policisë:
Veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore në vendngjarje, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor bëjnë të mundur zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 72-vjeçarit dhe identifikimin e autorit të dyshuar të vrasjes së tij.
Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Këto dëmtime dyshohet se janë bërë shkak për humbjen e jetës së shtetasit F. A.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori.
Nderkohë, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Ngjarja u vlerësua maksimalisht nga ana e Policisë dhe u punua me profesionalizëm, angazhim i cili çoi në zbardhjen e ngjarjes.
Të gjitha veprimet në terren janë drejtuar dhe ndjekur nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, së bashku me 2 zëvendësdrejtorët e DVP Gjirokastër, Shefin e Seksionit të Krimeve të Rënda, Shefin e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shefin e Stacionit të Policisë Memaliaj dhe me drejtues të tjerë të DVP Gjirokastër.