Me origjinë nga Pakistani, por me banim në Angli, Javiera dhe Hasan zgjodhën Shqipërinë për t’u bashkuar në martesë me një ceremoni fetare. Së bashku me dhjetëra familjarë dhe të afërm, ata vendosën të pushojnë në Gjirin e Lalëzit dhe të krijojnë kujtimin më të bukur për fillimin e një jete të re
Jemi këtu për një dasmë. Martohet nipi im. Durrësi ishte destinacioni i pushimeve tona. Moti i mirë, plazhi gjithashtu, dhe menduam pse jo. 80 veta morën avionin nga Britania e Madhe dhe erdhën këtu për pushime dhe për dasmën, që po e bëjmë bazuar në traditat tona myslimane dhe imamin shqiptar”, tha një familjar i dhëndrit.
“Është kaq bukur këtu dhe koha fantastike. Gjithçka”, u shpreh një tjetër dasmor Ceremonia e dasmës u zhvillua në xhaminë Fatih, një ndërtesë historike e shekullit XVI që me murin mesjetar të kalasë së Durrësit në sfond krijoi një atmosferë unike.
“Është e mrekullueshme kjo ditë dhe jo vetëm. Mikpritja dhe gjithçka janë kaq mbresëlënëse në këtë vend”, tha nusja.
Ceremonia i emocionoi të gjithë. Ajo u pëlqye dhe nga të moshuarit e familjes që ishin dyshues për zhvillimin e saj larg vendlindjes dhe vendbanimit, teksa kërkojnë ruajtjen e traditës së të parëve nga brezat e rinj.
“Më pëlqeu shumë vërtet. Imami shpjegoi qartë gjithçka, se shumë prej dasmorëve nuk dinë mbi ceremoninë fetare. Jetojnë në Angli. Ndaj jam shumë e kënaqur. Jam gjyshja e nuses”, tha gjyshja e nuses.
Dasma jo vetëm që kurorëzoi dashurinë e çiftit, por dhe ndërthuri bukur kulturën anglo-pakistaneze me trashëgiminë kulturore shqiptare, duke krijuar kujtime të paharrueshme për të gjithë dasmorët.