“Kemi luftuar me flakët”, zjarrfikësi që u dogj në Dropull: U futa për të shpëtuar një familje

Romeo Sulejmani, është zjarrfikësi nga Përmeti i cili në përpjekje për të shuar zjarret në Dropull, mori djegie në fytyrë dhe trup.

Ditën e djeshme ai ishte në krye të detyrës për shuarjen e flakëve në fshatrat Lugar dhe Grapsh të Dropullit, kur në mes të zjarreve u dogj vet. Ai ka marrë djegie të shkallës së dytë dhe tretë, por për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Duke folur për mediat, ai tha se ditën e djeshme, bashkë me kolegët kanë luftuar me flakët për disa orë, pavarësisht terrenit të vështirë. Ai thotë se gjatë shuarjes së zjarrit që rrezikonte një familje ka mbetur vetë i djegur.

“Kemi luftuar me flakët për orë të tëra, shumë zona janë fikuar. Kemi shkuar në zonat malore sepse kishim makinë vetëm për zonat malore dhe kemi shpëtuar një kishë. Pastaj jemi rikthyer dhe fikëm vatra të tjera zjarri, pastaj zjarri rrezikonte familjet dhe jemi futur për ta shuar”.