“Ejani shpejt na ndihmoni, babai po na rreh”, kjo është thirrja që një 13-vjeçar shqiptar i bëri policisë italiane pak ditë më parë.
I mituri telefonoi policinë duke qarë dhe kërkoi ndihmë pasi babai, një 47-vjeçar shqiptar kishte ushtruar dhunë ndaj tij, motrës, vëllait 2-vjeçar dhe mamasë e cila kishte ndërhyrë për të qetësuar bashkëshortin e dhunshëm.
Punonjësit e komisariatit në Civitanova kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku i priste 13-vjeçari i tronditur, i cili duke qarë u ka treguar shtëpinë e tij.
Në shtëpi efektivët i dhanë ndihmën e parë gruas dhe dy fëmijëve të tjerë, një adoleshente 16-vjeçare dhe një djalë 2-vjeçar. Më pas ata bllokuan shqiptarin, i cili ishte në dhomë dhe u bërtiste familjarëve të tij, duke u përpjekur të zbardhte atë që kishte ndodhur.
47-vjeçari u arrestua për krimet e abuzimit në familje dhe plagosjes së bashkëshortes dhe fëmijëve të mitur të cilët u dërguan në urgjencën e spitalit Civitanova Alta. Burri thuhet se ka qenë vazhdimisht protagonist i episodeve të ngjashme të keqtrajtimit ndaj familjarëve të tij.
Në gjykatë, gjatë seancës, shqiptari pranoi akuzat ndaj tij por shpjegoi se ai ishte shtruar në psikiatri dhe vuante nga depresioni. Ilaçet nuk i merrte sepse pasi mendonte se do të sëmurej, por pa to sjellja e tij dilte jashtë kontrollit. Për këto pretendime, gjyqtarja la në paraburgim 47-vjeçarin shqiptar.