Gazetari Osman Stafa, i ftuar në një emision televiziv ka folur për skandalin te Spitali Onkologjik, ku mjekët drejtonin qytetarët tek spitalet private. Stafa tha se është keqardhje që në spitalet në Shqipëri mungojnë ilaçet e kimios. Ai tha se është për të ardhur keq që të afërmit e pacientëve hyjnë në borxhe për të siguruar medikamentet.
Më tej, gazetari ka treguar se ka bërë kallëzim në Prokurori faktin që në spitale mungojnë ilaçet dhe se drejtësia nuk ka bërë gjë. Sipas tij, kur sheh që nuk funksionon edhe drejtësia, të vjen të ulërasësh.
Gazetari Osman Stafa: Është krijuar një kakofoni për skandalin te Spitali Onkologjik. Ata mjekë që kanë dalë në përgjime do të duhet të përgjigjen për atë që kanë folur e për gjetjet. Por ne do të presim hetimin që të japë përfundime. Shteti duhet të sigurojë një sërë ilaçesh për pacientët. Shumë pacientë që vuajnë nga kanceri nuk marrin ilaçe. Ka protokoll që duhet respektuar dhe pacienti duhet ta respektojë atë protokoll. Në institucione shëndetësore mungojnë ilaçe jetike. Mungon ironetekani, mungon edhe jodi radioaktiv që kurohet kanceri i tiroides. Unë e kam thënë se këtu qëndrojnë ata njerëz, që nuk kanë para për të shkuar jashtë. Janë njerëz hallexhinj, që duhet të hyjnë në kredi për të siguruar medikamentet. Institucionet shëndetësore e dinë se çfarë mungojnë.
Kam kryer një investigimin në QSUT, kam dëshminë e pacientëve, që fëmijët e tyre nuk kanë ilaçe. Ndërpresin mjekimin dhe ikin në shtëpi, pasi nuk ka ilaçe për kimioterapi. Prindërit e të voglës kanë gjetur medikamentin me 1350 euro në Kosovë. Mungojnë ilaçet e kimios. Kur shkoi kryeministri në QSUT, ishte propagandë, sepse shefat e pavionëve ishin në punë, mund të shkonin në takim me kreun e qeverisë kur ishin jashtë orarit të punës. Unë shkresën kallëzuese e kam dërguar në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi ka qenë i dështuar. Hysni Mulaj është prokurori i Tiranës, që ka “hetuar” këtë çështjen. Më ka thirrur mua dhe i ka dërguar shkresë zyrtare QSUT-së se çfarë do thotë për pretendimet. QSUT i ka thënë prokurorit se shumë barna nuk janë në spital. Nga përgjigja, del se barnat mungojnë me vite të tëra. Edhe pse prokurori mori këtë përgjigje, tha se për shkak të Covid, nuk ka pasur ilaçe dhe vendosi të mos hetojë. Kallëzova në Prokurori dhe hetimi u mbyll. Më vjen keq që nuk pyeti mjekët, nuk pyeti familjarët. E ankimova vendimin dhe u shqyrtua sërish. Edhe ankimimi thotë se i qëndron asaj që ka thënë Prokuroria. Ky është dështimi i dytë i drejtësisë. Edhe ankimi në Apel ishte dështim i tretë. Nëse çështja do ishte marrë seriozisht që më 2022, besoj se nuk do kishim këtë situatë që kemi sot. Shëndetësia në Shqipëri është në ditë të keqe. Kanceri nuk do t’ja dijë për arsye. Kam besuar fort tek drejtësia, por edhe kur drejtësia të braktis, është e rëndë.
Ne kemi përgatitur edhe një tjetër protestë përpara Ministrisë së Shëndetësisë, për mungesën e ilaçeve në spital. Kushdo që përballet në institucionet e shëndetësisë dhe nuk gjen atë që duhet, të vijë në protestë më 8 korrik ora 19:00 te Ministria e Shëndetësisë.