Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij me drejtuesit e QSUT, foli edhe njëherë për skandalin tek Onkologjiku, ku mjekët orientonin pacientët tek spitalet private, si dhe nuk iu jepnin të gjitha ilaçet të sëmurëve.
Rama i quajti mjekët që dolën në përgjime teksa bënin pazar me jetën si “merimangat e Onkologjikut”. Në fjalën e tij, Rama tha se fatkeqësisht mjaftojnë 5 maskarenj për të ndotur bluzat e bardha. Kryeministri u shpreh se mjekët nuk duhet të harrojnë, se pacientët që vijnë në QSUT dhe të afërmit e tyre paguajnë taksa, që shërbimi sot ndaj pacientit të bëhet më lehtë, falë aparaturave moderne.
Edi Rama: Sot mjekët kanë paga më të mira dhe kushte më moderne. Janë një sërë kushtesh moderne, që e kanë bërë punën më të lehtë për mjekët. Kushtet më të mira janë bërë me paratë e atyre që vijnë në spital, për ndihmën e bluzave të bardha.
Kush harron se është shërbëtor dhe sillen si të pashpirtë si ata që pamë, meriton ndëshkimin e Zotit lart në qiell. Mjaftojnë 5 maskarenj, si ata merimangat e Onkologjikut, që ju të goditeni nga valë revolte që është legjitime, nga një popull i tërë. Ju e keni për detyrë të shërbeni.