Alarmi për obezitetin, mjekët: Një sindromë e re po haset tek moshat e reja

Obeziteti në vendin tonë është në trend rritje dhe mjekët janë ata që japin alarmin.

Sipas tyre por edhe zyrtarëve të OBSH-së, bashkë me obezitetin në rritje tani janë edhe një sërë sëmundjesh të tjera dhe një sindromë e re siç është ajo e Kardio-renal-metabolik.

“Ndonëse jemi mësuar që obezitetin ta shohim tek 50 – 60 vjeçarët tanimë po e shohim tek fëmijët tek adoleshentët. Por ajo që shohim tek personat mbi peshë është se përveç hipertensionit i cili lidhet direkt me sëmundjet kardiake pasojnë sëmundje të tjera të cilat lidhen me diabetin , dhe problemet renale, pra dukshëm vihet re një sindromë e re siç është ai kardio -renal metabolik”.

Mjekët u kërkojnë prindërve që të jenë të kujdesshëm në lidhje me ato çfarë konsumojnë fëmijët pasi rriskojnë të preken nga disa sëmundje madje në moshë të re.

“Nëse nuk do të ndryshojmë stilin e jetës mënyrën e të ushqyerit me këtë obezitet në rritje do të kemi sëmundshëmri të shtuar në mosha të reja”.

Për dy ditë më radhë mjekë të shërbimit të endokrinologjisë, mjekësie interne dhe kardiologjike kanë diskutuar mbi sindromën e re kardio-renal – metabolik që po hasin tek pacientët madje në mosha të reja.