Hyn në fuqi marrëveshja, si mund të tërheqin pensionet dhe pagesa të tjera shqiptarët në Itali

Autoritetet italiane publikuan të shtunën më 6 korrik në fletoren zyrtare marrëveshjen për pagesat e pensioneve dhe shërbimeve të tjera mes Italisë dhe Shqipërisë, raporton noa.al.

Duke nisur nga kjo datë, shqiptarët që jetojnë në Itali dhe kanë vite pune të cilave u janë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga punëdhënësi dhe vetë ata si punëmarrës, mund të aplikojnë për të përfituar nga fondet shtetërore italiane.

Shqiptarët mund të aplikojnë për pension pleqërie, pension familjar, pension invaliditeti, pagesë për personat e vetëpunësuar, etj.

Po ashtu ligji i njeh të drejtën të marrin shërbime shëndetësore për çdo lloj sëmundje.

Gjithashtu sigurohet dhe e drejta e lejes së lindjes sipas ligjit italian.

Një tjetër pagesë përfituese është dhe ajo e papunësisë. Çdo shqiptar ka të drejtë të kërkojë pagesë papunësie deri sa ti sigurohet një vend pune i pranueshëm për të.

Për të aplikuar, shtetasit shqiptarë duhet të paraqiten fizikisht ose online në Institutin italian të Sigurimeve Shoqërore. Ata mund të marrin në Itali pension mujor sipas viteve që kanë kontribute dhe njëkohësisht të marrin pension edhe në Shqipëri sipas viteve që kanë atje.

Edhe shqiptarët që kanë dalë në pension përpara vitit 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.