Një operacion policor i forcave speciale greke ka përfunduar në revoltë në burgun e Janinës.
Policia greke kishte 4 muaj që hetonte një grup brenda burgut të Stavrakiout në Janinë, të kontrolluar nga ai që njihej si “Bossi” apo “Shefi” e që nga të dhënat paraprake dyshohet se bëhet fjalë për të dënuarin shqiptar Edmond Përbasha.
Me bashkëpunëtorë të tij brenda e jashtë burgut, përfshirë policë, gardianë e zyrtarë, ai kontrollonte veprimet e paligjshme përfshirë shpërndarjen e drogës. Ende nuk dihet se për çfarë veprash bëhet fjalë, por burime jozyrtare thonë se janë evidentuar të paktën 70 raste të veprimeve të paligjshme me qëllim përfitimi.
Forcat speciale EKAM dhe MAT, bashkë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kanë ndërhyrë në burg prej orës 06.00 të mëngjesit për të ekzekutuar disa urdhër arreste si dhe për të kryer kontrolle për drogë, armë etj. Urdhër arrestet mësohet se janë për persona brenda e jashtë burgut, përfshirë policë, gardianë e zyrtarë.
Kontrollet kanë shkaktuar revoltë ndër të burgosurit, të cilët kanë djegur dyshekë e sende të tjera. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar 3 zjarrfikëse, ndërkoë që forca të shumta policore vazhdojnë operacionin. Disa prej të burgosurve mësohet se janë transferuar. Gjithashtu bëhet me dije se në vendngjarje ka mbërritur edhe Prokurori. Detaje të tjera pritet të mësohen në orët në vijim.