Edhe pse çmimet në Shqipëri po arrijnë nivele stratosferike, për të ardhurat për frymë nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Eurostat, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për të arritur Europën për nivelin e të ardhurave pasi në vitin 2023, çmimet e ushqimeve në vendin tonë ishin sa 89.8% e mesatares së BE-së, nga 83.7% që ishte ky tregues më 2022.
Të dhënat tregojnë se nga viti 2014 deri në vitin 2023, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri i është afruar mesatares së BE me 23 pikë për qind, pasi në vitin 2014 çmimet e ushqimeve në vendin tonë ishin sa 66.8% e mesatares së BE-së.
Për rritjen e çmimeve të ushqimeve, Shqipëria lë pas 7 vende europiane, por për të ardhurat për frymë renditemi të fundit në Europë duke na e kaluar edhe Bosnje-Hercegovina që sipas të dhënave të mëparshme ishte në të njëjtin nivel me Shqipërinë. Të ardhurat e Bosnjës ishin sa 35% e mesatares europiane, të Maqedonisë së Veriut sa 42% e BE-së dhe Serbisë sa 44% e BE-së.
Në Shqipëri, grupi i produkteve të bulmetit ka çmime më të larta se në BE. Sipas Eurostat, vendi ynë renditet në vendin e tetër në Europë për nivelin e lartë të çmimeve të qumështit dhe nënprodukteve të tij në mesin e 38 vendeve. Në 2023, çmimet e bulmetit në Shqipëri ishin 20.7% më të larta se në BE.