Bëri dozën e parë të vaksinës AstraZeneca, mjeku shqiptar në Angli flet për efektet anësore: Dy ditët e para ndjeva…

Në vendin tonë mbërritën 38 400 doza të vaksinës AstraZeneca mbrëmjen e së premtes dhe pritet të vaksinohen mësuesit dhe të moshuarit mbi 80 vjeç.

Ndërkohë disa shtete si Italia, Holanda, Belgjika e Danimarka ndaluan përdorimin e kësaj vaksine, pasi u tha se shkaktonte mpiksje gjaku.

Kjo temë u diskutua edhe gjatë ditës së sotme në emisionin “Shqipëria Live” ku në një lidhje direkte nga Anglia, ishte mjeku shqiptar, Laidon Shapo, i cili ka bërë vaksinën AstraZeneca. Ai rrëfeu efektet anësore të vaksinës, ku tha se kishte ndjerë pak dhimbje muskulore në krah dhe lodhje të përgjithshme për dy ditë.

“Më erdhi radha, nuk është e njëjta lëvizje në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, për shumë arsye. E bëra para 6 javësh me efekte minimale anësorë. Ditën e parë pak dhimbje aty ku injektua vaksina dhe ditën e dytë dhimbje muskulore edhe lodhje të përgjithshme dhe u mbyll me kaq. Kjo që u bë këtu, nuk është bërë me mua vetëm. Kam kartën e ditës përkatëse kur kam bërë dozën e parë dhe dita tjetër është në prill, fiks 12 javë. EMA është shprehur se benefiten e vaksinës kalojnë rreziqet”,- u shpreh mjeku Shapo.